Ngjyrat ndikojnë në humorin dhe personalitetin e çdo njeriu. Ngjyrat me të cilat dekoroni shtëpinë tuaj kanë një ndikim të thellë emocional për mirëqënien tuaj dhe të familjes tuaj.
Aplikimi i ngjyrave të ndryshme në mure sjell dhe ndryshim humori i cili ndikon në punë. Ngjyrat e duhura ndihmojnë të krijohet efekti i hapësirave më të mëdha. Po ju japim disa këshilla se cilat ngjyra të përdorni në muret tuaja. Mbani “vathë në vesh”, të zgjidhni ngjyrat e gabuara mund të ndikojë në humorin, sjelljen dhe personalitetin tuaj po aq sa në perceptimin e hapësirave tuaja.
Dekorimi i shtëpisë shpesh konsiderohet thjeshtë si një faktor estetik, çfarë duket më tërheqëse për syrin. Por studimet rreth “psikologjisë së ngjyrave” tregojnë që ngjyrat me të cilat dekoroni shtëpinë tuaj kanë një ndikim të thellë emocional për mirëqënien tuaj dhe të familjes tuaj.
Nëse dëshironi të krijoni emocionalisht një shtëpi “të shëndetshme”, konsulentët e ngjyrave ju këshillojnë së pari të mbani parasysh funksionalitetin e secilës dhomë.
Keni nevojë për ide? Ja disa këshilla për ngjyrat e secilës dhomë të shtëpisë:
Ngjyrat për dhomë ndenje dhe holl: Tonalitet e ngrohta si e kuqja, e verdha, portokallia dhe ngjyrat e tokës si kafja dhe bezha mund të përdoren në të dy rastet pasi mendohet se ato stimulojnë komunikimin. Këto ngjyra do të krijojnë ngrohtësinë e duhur për t’iu nxitur të uleni dhe të bisedoni me njëri-tjetrin.
Ngjyrat e kuzhinës: E verdha është ngjyra e këshilluar për vendin ku do gatuani, besohet se ndikon në rritjen e metabolizmit dhe ndihmon në përceptimin e dritës dhe ju jep energji.
Ngjyrat për dhomë ngrënie. E kuqja është ngjyra që këshillohet më shumë të përdoret në dhomat e ngrënies, pasi besohet se ndikon gjithashtu në rritjen e oreksit. Por nëse jeni në dietë largoni të kuqen nga dhoma e ngrënies.
Ngjyrat e dhomës së gjumit. Dhoma e gjumit është vendi ku gjejnë qetësinë pas ditëve të lodhshme dhe lidhemi më shumë me partnerin. Ngjyrat e ftohta blu, jeshile dhe lavandë (lejla) kanë një efekt qetësues. Sa më e theksuar ngjyra aq më i madh besohet të jetë efekti. Siç e kuqja ndikon në rritjen e presionit të gjakut dhe rrahjeve të zemrës, bluja dhe jeshilja janë krejt e kundërta, japin ndjesinë e qetësisë dhe çlodhjes.
Dhomat e fëmijëve: Lejoni fëmijët tuaj të zgjedhin ngjyrën e preferuar, ajo duhet të jetë për ta argëtuese, me kalimin e kohës do ta rilyeni.
Ngjyrat e banjos. E bardha dhe ngjyrat e ngrohta kanë qënë gjithmonë shumë të preferuara për banjot, pjesa më e madhe e tyre për shkak të ndjesisë së pastërtisë. Por në ditët e sotme banjoja nuk përdoret vetëm si vendi për tu larë por gjithashtu për relaksim dhe ripërtëritje të energjive. Shumë njerëz mund të preferojnë ngjyrat blu, të gjelbër ose të bruztë sepse këto ngjyra japin ndjesinë e freskisë, pastërtisë dhe qetësisë.
Ngjyrat e dhomës së stërvitjes (palestër). E kuqja dhe portokallia mund t’iu ndihmojnë të ndiheni energjikë dhe të lëvizshëm por gjithashtu do t’iu krijojnë ndjesinë e nxehtësisë. Për këtë arsye ngjyrat jeshile në të verdhë dhe blu në jeshile mund të jenë zgjedhjet më të mira, në termat e psikologjisë së ngjyrave “ato janë ngjyra të lumtura”.
Ngjyrat e zyrës së shtëpisë. Ngjyra jeshile mund të jetë një zgjedhje shumë e mirë për zyrat e shtëpisë nëse dëshironi të keni përqëndrim maksimal. Gjithashtu në zyra përdoret ngjyra gri pasi rrit kreativitetin dhe përqëndrimin. Grija përdoret masivisht në zyrat e drejtuesve për shkak të neutralitetit dhe aftësisë për t’u kombinuar me ngjyrat e tjera.