Ka mjaft njerëz të cilët preferojnë që rrobat e tyre ti mbajnë në një garderobë të hapur. Sigurisht që nëse ke një hapësirë të përshtatshme për të krijuar një dhomë veshje, garderobat e hapura e bëjnë më të lehtë përzgjedhjen dhe organizimin e rrobave. Ato të japin ndjesinë e një mini butiku në shtëpinë tënde dhe padyshim bëjnë vend edhe për rrobat më delikate. Një mënyrë mjaft ekonomike për të krijuar një mini-garderobë të hapur janë dhe varëset statike të rrobave të cilat janë jo vetëm praktike, por dhe kursejnë mjaft hapësirë. Normalisht që dhe dollapët e mbyllur kanë anët e tyre pozitive, por puna në hapësirat e mbyllura bëhet disa herë më e vështirë për të shmangur rrëmujën dhe rrudhat në rroba.
Dollapët e tekstilit janë një zgjidhje jo vetëm ekonomike, por dhe mjaft e këndshme për sistemimin e veshjeve. Ato kushtojnë pak, por ngjajnë ndoshta edhe më bukur se dollapet e mëdhenj e pak praktikë. Ata vijnë në modele të ndryshme për tu përshtatur me çdo shije.
Jo të gjithë janë krenarë për mënyrën se si i trajtojnë rrobat pas kapakëve të dollapit. E gjitha kjo ndodh, sepse shpesh ne nuk kemi një ndarje të mirë të dollapit. Kutitë e tekstilit janë një mënyrë e mirë për të organizuar edhe hapësirat më të vogla. Do të duhet një shumë e vogël parash për të pasur një organizim perfekt. Ndaj çdo gjë në seksione që kanë kuptim për ty. Kutitë janë një ndihmë shumë e madhe në dollap për të mbajtur pajisje të vogla ose rroba të palosura.
Është shumë e rëndësishme që rrobat e sezonit të kaluar t’i paketosh në qese vakumi. Kështu edhe ke më shumë hapësirë për rrobat e trasha dimërore, por dhe e di mjaft mirë ku po i vendos rrobat verore. Mjafton të ndezësh fshesën me vakum që përdor për të pastruar shtëpinë dhe të thithësh ajrin e qeseve plastike.
Rrobat mbahen në të njëjtin drejtim të vendosura në raft, edhe për rregull por edhe për syrin estetik. Nëse ke veshje delikate duhet t’i mbash gjithmonë të varura, ndërsa xhinset mund të mbahen të palosura. Mund të shtosh sergjenë melamine për të shtuar kate mbajtëse për xhinset dhe pulovrat e dimrit. Nëse ke ndërmend të varësh rroba të trasha e të rënda si pallto apo xhupa, zgjidh kremastare druri dhe jo plastike. Këto të fundit përdori për rrobat e e tekstilet e lehta.
Askush nuk do t’i shohë këpucët të shpërndara nëpër shtëpi ose të grumbulluara tek dera. Mos i vendos ato sipër njëra-tjetrës apo në kuti, sepse të jesh i bindur që nuk do të kujtohesh më për to. Ne sugjerojmë një raft funksional dhe tërheqës me tri kate për të sistemuar të gjitha këpucët në një vend.
Një kujdes të veçantë duhet të tregosh dhe me çantat! Ato duhet të qëndrojnë në këmbë dhe nuk duhet të vendosen kurrë mbi njëra - tjetrën, sepse shtypen dhe deformohen. Një zgjidhje e zgjuar janë varëset statike të cilat shpesh referohen në jetën e përditshme si “Prift” apo “Koka Prifti”. Mund të varësh aty çdo çantë dhe vetë varësja nuk zë hapësirë të madhe.
Kujdesu si duhet për bizhuteritë dhe sendet me vlerë duke përdorur organizuesin e sendeve me vlerë me ndarje. Kështu jo vetëm që nuk do humbisni gjë, por dhe do t'i ruash ato të sistemuara duke i ruajtur nga dëmtimet e ndryshme.