Të gjithë kemi nevojë për një mendim të dytë kur vendosim të arredojmë ambientet e shtëpisë apo biznesit. Kjo jo vetëm për të qenë sa më afër trendeve të fundit botërore, por dhe pse jo për të kuptuar më shumë stilin tonë të preferuar.
Prandaj Blerina, një nga arkitektet tona në Megatek, na jep disa këshilla të vlefshme për të arreduar bazuar mbi estetikë, por dhe funksionalitet.
Këtë pjesë të dytë të 2019 e zeza del në skenë. Nëse gjatë vitit të kaluar e zeza ishte e pranishme në detaje të vogla të interiorit, këtë vit ajo vjen e përshtatur në mënyrë të guximshme me objektet më të mëdha të dhomës. Por kujdes me të zezën që përdorni! Janë larg tashmë ditët në të cilat të zezat me shkëlqim apo sipërfaqet e xhamave të zinj ishin në qendër të vëmendjes. Për të qenë në trend, përdorni të zezën mat. Punimi mat i saj krijon ndjenja ‘chic’ në arredim dhe e bën të zezën më të lehtë në kombinim.
Por me çfarë kombinon e zeza në trendet më të reja të dizajnit? Përgjigja është paska e çuditshme; me tunxh. Ndryshe nga metalikja e ngrohtë e bakrit, trendit mjaft të përdorur të viteve të fundit, sidomos në arredimet industriale, tunxhi na prezanton me një ngjyrë metalike më të çelur, më solare, që i përngjan ngjyrës së arit, por në të njëjtën kohë vjen në tone më delikate.
Ngjyra e tunxhit, përtej kombinimit me të zezën, krijon ura lidhëse mjaft interesante me muret në të cilat çuditërisht nuk ka gri! Vendin e grisë nëpër mure e kanë zënë ngjyrat e buta të kremit, të mjaltit dhe sigurisht koralet, të cilat janë njëkohësisht dhe ngjyrat e këtij viti. Këto tone neutrale, por njëkohësisht dhe të ngrohta, krijojnë hapësira perfekte për të theksuar të zezën dhe tunxhin.
Një tjetër trend i këtij viti që përdorimi i tunxhit sjell është dhe jeshilja e bimëve. Gjithmonë e më tepër hapësirat e brendshme të jetesës po pasurohen me natyrën, e cila ndryshe nga vitet e kaluara vjen me gjethe paksa më të zverdhura dhe me jeshile më të çelura. Kaktusët, bimët kacavjerrëse dhe pemët e mëdha janë objekte ideale për interioret e shtëpisë suaj, por duke qenë se është e vështirë të gjesh bimën perfekte natyrale e cila i përshtatet stileve të 2019-ës, shumë i drejtohen bimëve artificiale duke përfituar nga estetika e tyre e qëndrueshme. Teknologjitë e reja të prodhimit të këtyre bimëve, kanë mundësuar një imitim i cili është shumë afër natyrales. Duke përdorur të tilla bimë reduktoni dhe mjaft probleme që bimët natyrale në ambiente të mbyllura krijojnë.
Ndërkohë që e zeza krijon bazë të fortë në një arredim të brendshëm, ngjyra të tjera plotësuese duken të shumta në trendet e këtij viti. Për të lidhur neutralet e ngrohta të mureve me jeshilen artificiale në dhomë, këtë vit kemi migruar nga mustarda e fortë në ngjyra më vjeshtore si ajo e erzës indiane Turmerik. Kjo ngjyrë na sjell më pranë tokës duke krijuar ndjesi të ngrohta shtëpie. Jeshilja e çdo lloji ka shpërthyer në objektet e shtëpisë e cila mbahet nën kontroll falë teksturave të drurit natyral që ka gjetur përdorim të gjerë në tavolinat e ngrënies apo dhe mobiljet anësore krahë murit.
Kur një arkitekt përballet me një hapësirë të vogël jetese dhe me mijëra ide në kokë situata kthehet gjithmonë në një sfidë! Dhe kur kjo ndodh për një arkitekt, imagjinohet lehtë konfuzioni në personat jashtë kësaj fushe. Prandaj shpesh bëhen gabime në arredimin e këtyre hapësirave, duke rezultuar në dhoma të rrëmujshme dhe aspak harmonike. Prandaj është e rëndësishme të kuptoni që në ambiente të tilla ju duhet të hiqni dorë nga mjaft aspekte estetike për të favorizar anën funksionale të hapësirës.
Një nga elementët kyç dhe më të rëndësishëm të një ambienti është drita, dhe sidomos ajo natyrale. Drita e bollshme apo e mjaftueshme në rastet më sfiduese, krijon përshtypjen e një ambienti të hapur dhe me mjaft hapësirë. Drita natyrale ndriçon elementët e dhomës dhe sidomos muret, duke përcjellë energji pozitive dhe të fuqishme në ambient.
Meqë jemi te muret, përveç ngjyrave të hapura që ju duhet të përdorni apo linjave vertikale, vlen të përmendet që çfarë do objekti që tërheq sytë drejt tavanit e bën dhomën të duket më e lartë. Prandaj artin që keni ndërmend të përdorni, vareni sa më pranë tavanit! Mund të varni dhe pasqyra për të krijuar iluzionin e dyfishimit të hapësirës! Të gjithë e përdorin këtë truk.
Për të lehtësuar pamjen për syrin, drejtoni vëmendjen tek një mobilje specifike e ambientit. Kështu mund të ndiqni të qetë rregullin e pjeprit. Çfarë është rregulli i pjeprit? Ç’do objekt dekorativ më i vogël se një pjepër mesatar tejmbush dhomën. Prandaj duhet t’i kushtojmë më shumë rëndësi objekteve më të mëdha.
Së fundmi, investoni në mobilje të vogla shumëfunksionale dhe praktike, kryesisht në ngjyra të hapura. E gjithë struktura e dhomës varet nga to dhe, nëse në të njëjtën kohë me estetikën, përfitoni dhe më shumë hapësirë, kjo quhet fitore e dyfishtë!
Është vënë re përgjatë viteve të fundit një tendencë e projekteve arkitekturore për të ndërlidhur interiorin dhe eksteriorin. Pra hapësirat e brendshme të jetesës kanë filluar të ndërlidhen aq natyrshëm me kopshtet sa që praktikisht ndihen si një ambient i tërë dhe i pandarë. Kjo ndërlidhje sjell natyrën brenda dhe zgjeron hapësirat e jetesës përtej mureve konvencionalë. Ajo çfarë është e vështirë në të tilla situata është privatësia.
Ka dy mënyra efikase që ndihmojnë në eleminimin e syve kureshtarë për nga banesa.
Një nga mënyrat është të përdorni armën më të fortë që e keni aktualisht në kopësht; natyrën. Krijoni një barrierë jeshile rreth kopshtit duke përdorur pemë shtatlarta për të përfituar jo vetëm privatësinë e munguar, por dhe një cilësi më të mirë ajri dhe një qetësi më të madhe akustike. Pishat janë një zgjedhje e zgjuar duke marrë parasysh dhe klimën në Shqipëri, por nuk duhen lënë pas dhe bimët kacavjerrëse apo shkurret dekorative mesdhetare. Edhe pse në dukje një zgjidhje perfekte, problemi më i madh që do të ndeshni me këtë mënyrë është koha. Bimët nuk mund të nguten në procesin e tyre të gjatë të rritjes dhe bimët e rritura janë një investim relativisht i madh.
Mënyra tjetër në të cilën keni mundësi më kreative për të manovruar është përdorimi i gardheve të drurit dhe gjetheve artificiale si rrethime interesante për të zëvendësuar muret. Druri ruan ndjesinë e natyrës në kopësht dhe gjethet artificiale janë një zgjidhje afatgjatë për gardhe të plota, të gjelbërta dhe rezistente ndaj 4 stinëve.
Të gjithëve na pëlqen të rendim pas trendeve të fundit të arredimit për të planifikuar çdo detaj të hapësirave tona të jetesës apo biznesit. Por ajo çfarë ne shpesh nënvlerësojmë kur rendim pas këtyre trendeve është buxheti. Edhe pse një shtëpi e përditësuar në trendet më të fundit të kohës do të ishte ëndërr për këdo, jo çdokush ka mundësinë për të shpenzuar shuma pafund dhe e vërtata është që nuk keni pse. Prandaj, kur vendosni të përmirësoni një ambient, zgjidhni formula të sigurta. Minimalizmi dhe stili industrial janë dy nga zgjidhjet më afatgjata për të arreduar. Kjo për shkak të natyrës së tyre universale e cila i bën të pranueshme në çdo trend dhe kohë.
Minimalizmi, arredimi mbi bazën e të thjeshtës, të pastrës, minimales, është perfekt për njerëzit që duan qetësi vizuale dhe një jetë sa më ‘të thjeshtë’. Fanatikët e këtij stili përkrahin pakohësinë e kësaj mënyre dizajni, por dhe jetese. Gjithmonë do të jeni në trend nëse zgjidhni të jeni minimal.
Ndërkohë stili industrial është përkrahur globalisht vitet e fundit duke gdhendur një farë universaliteti në të arreduar.Bazuar në interioret e fabrikave të vjetra dhe hapësirave të tjera industriale, edhe pse jo për këdo, ky stil nëse nuk pëlqehet, kuptohet nga kushdo, kurdo.
Blerina,
Arkitekte në Megatek.